Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka deklaruar se sezoni turistik këtë vit pritet të zgjasë më shumë se zakonisht. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Tavo tha se pushimet në bregdetin e Himarës do të vazhdojnë të paktën deri në mesin e nëntorit.
“Jemi në kulmin e sezonit turistik. Sezoni ka filluar herët këtë vit në Himarë. Nga të gjitha kontaktet që kam me operatorët turistikë, turizmi këtë vit do të jetë një sezon i zgjatur dhe do të shkojë deri në mesin e nëntorit pasi hotelet janë të rezervuara deri nga data 15-20 nëntor në të gjithë bashkinë e Himarës. Ka një fluks turistësh”.
Ai tha se Bashkia ka marrë masa të shtuara për të përballuar fluksin, sidomos për pastrimin e mbetjeve, që mbetet një nga sfidat kryesore: “Fluksi i shtuar i turistëve sjell dhe problematika. Një ndër to është sasia e shtuar e mbetjeve, e plehrave, që na angazhon për të punuar me orare të zgjatura edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, po pastrojmë të gjithë territorin 3 herë në ditë.”
Për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, Tavo tha se situata është më e mirë se një vit më parë, edhe pse ujësjellësi nuk është më në varësi të bashkisë: “Problemi me ujin e pijshëm është më i vogël se një vit më parë, edhe pse ujësjellësi nuk është më në varësi të bashkisë.” (A2 Televizion)