Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se nga dita e hënë do të nisë kontrollet në vend për tatimpaguesit që tregtojnë produkte ushqimore dhe blegtorale.
Sipas njoftimit, rreth 12 mijë tatimpagues janë njoftuar përmes faqes zyrtare dhe nëpërmjet pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing që të marrin masat e nevojshme për të siguruar që çdo mall të shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar. Në rast të kundërt, do të aplikohen penalitete sipas ligjit, shkruan A2 CNN.
“Çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që dispononi dhe tregtoni duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar të blerjes, ku të identifikohet qartë shitësi dhe origjina e produktit. Çdo produkt që tregtoni te konsumatori final duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar, ku të pasqyrohet saktë emërtimi dhe çmimi i produktit”, theksohet në njoftimin zyrtar.
Ky paralajmërim vjen një ditë pasi ministrat Anila Denaj dhe Petrit Malaj dolën në terren për të ndërgjegjësuar bizneset që tregtojnë produkte bulmeti, duke deklaruar se nga nesër çdo mall pa faturë, sidomos bulmeti, do të sekuestrohet. (A2 Televizion)