A duhet të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak? Moisiu: Është edukim, gomarin nga balta e nxjerr i zoti

Nga A2 CNN
13 Korrik 2025, 21:34 | Politikë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka dalë hapur në mbështetje të rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke e cilësuar atë jo vetëm si domosdoshmëri për mbrojtjen, por edhe si një formë edukimi dhe forcimi të ndjenjës së patriotizmit.

Në një intervistë për emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Moisiu solli shembuj konkretë nga vendet perëndimore dhe Lindja e Mesme.

“Gjermania ka për ta rikthyer. Është popull 80 milionë ai, duhet të ketë ushtri. Me vullnetarë nuk bëhet kjo punë. Shërbimi ushtarak është edukim.”

Ish-presidenti përmendi edhe Izraelin si një model që duhet të merret parasysh:

“Shihni Izraelin, është vetëm 8 milionë, por 100 milionë arabë i vë përpara ai. Ai banon në Amerikë, por është izraelit, vjen dhe bën shërbimin ushtarak, vajza ose djali.”

Sipas Moisiut, shërbimi ushtarak lidhet ngushtë edhe me rënien e ndjenjës së atdhedashurisë në Shqipëri: “Kjo ka të bëjë edhe me patriotizmin, por këtu te ne patriotizmi ka rënë. Gomarin nga balta e nxjerr i zoti, kemi ne këtë fjalën tonë popullore.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos