Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka komentuar për herë të parë paralajmërimet e forta të kryeministrit Edi Rama ndaj pushtetit vendor dhe administratës. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Tavo u shpreh se qëndrimi i Ramës është një sinjal i qartë që vjen nga qytetarët, të cilët duan shërbim dhe efikasitet nga administrata.
“Mbështetja që i është dhënë mazhorancës nga shqiptarët është një mesazh që tregon se besojnë në një qeveri dhe kërkojnë një administratë që t’u shërbejë. Kryeministri nuk bën gjë tjetër veçse përçon mesazhin që e votuan këtë mazhorancë për ta qeverisur këtë vend.”
Tavo pranoi se ka sektorë ku administrata lokale është shndërruar në “zonë rehatie”. “Nuk mundet që në një karrige të qëndrosh për 12 vite. Ka një pjesë të administratës që i ka zënë gjumi. Vjen një moment që edhe mund të jenë lodhur, jo e gjithë administrata, por mendojnë se kjo karrige është e tyre dhe nuk ua merr njeri dhe flenë gjumë.”
Kreu i Bashkisë Himarë shtoi se janë ngritur mekanizma që monitorojnë performancën, për të shmangur zvarritjen në poste pa meritë: “Prandaj ka struktura që monitorojnë performancën e të gjithsecilit dhe në fund vendoset se kush duhet të jetë në një karrige apo në një tjetër”, tha Tavo në emisionin “Off the Record”. (A2 Televizion)