Fakulteti i Arteve të Bukura në Universitetin Charles të Pragës, ku u vranë 14 persona pasi një prej studentëve hapi zjarr, do që qëndrojë i mbyllur deri në fund të janarit.
Zyrtarët e fakultetit njoftuan se studentët nuk do të jenë të detyruar që të japin provimin në fund të semestrit që përfundon në 12 janar. Kjo do të thotë që projektet e tyre do të shtyhen për në një moment të dytë.
Kujtojmë se një 24-vjeçar hapi zjarr brenda fakultetit më 21 dhjetor, duke vrarë 14 persona, përpara se ta kthente armën edhe nga vetja. 24 persona të tjerë mbetën të plagosur.
“Të gjitha vlerësimet (të nxënësve) do të kryhen mbi baza vullnetare dhe formati mund të modifikohet në varësi të rrethanave”, thuhet në një njoftim për shtyp të postuar në faqen e internetit të fakultetit.
“Ju sigurojmë se edhe nëse nuk merrni nota për semestrin e vjeshtës, do të mund të vazhdoni me besim studimet dhe të përfundoni me sukses programin në të ardhmen”, thuhet më tej në njoftim.
Pak para Krishtlindjeve, sulmi tronditi vendin me 10.8 milionë banorë, anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku incidente të këtij lloji janë jashtëzakonisht të rralla.
Sipas policisë, sulmuesi vrau gjithashtu dy persona që kishte zgjedhur rastësisht në periferi të Pragës më 15 dhjetor, një baba dhe vajzën e tij dymuajshe.
Në ditën e sulmit, vrasësi vrau fillimisht të atin, në shtëpinë ku jetonin së bashku ndërsa motivet e krimit mbeten të pazbardhura. (A2 Televizion)