Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar për vrasjen e dy anëtarëve të ambasadës izraelite në Uashington, jashtë muzeut hebraik në kryeqytetin amerikan.
"Kryeministri Benjamin Netanyahu është thellësisht i tronditur nga sulmi i tmerrshëm antisemit në të cilin u vranë dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite në Uashington", shkroi zyra e kryeministrit në një deklaratë, duke shtuar se Netanyahu mori një përditësim të menjëhershëm mbi detajet e incidentit nga ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yehiel Leiter, duke shprehur mbështetjen e tij për të dhe të gjithë stafin e ambasadës.
Ndërkohë prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, foli me kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke i ofruar atij të gjitha informacionet e disponueshme mbi sulmin në Uashington që vrau dy punonjës të ambasadës izraelite, duke theksuar se Presidenti Donald Trump ishte i përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e incidentit dhe se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen për ta sjellë autorin e sulmit para drejtësisë.
Në një konferencë për shtyp shefja e policisë së Uashingtonit, Pamela Smith, tha se viktimat, një çift i ri, po dilnin nga muzeu, i cili po organizonte një aktivitet, kur u qëlluan për vdekje, rreth orës 9 të mbrëmjes me orën lokale. Autori i cili ndodhet tashmë në paraburgim, bërtiti "Liri Palestinës", shtoi ajo. Policia e Uashingtonit dhe FBI-ja po hetojnë incidentin. Zyra e FBI-së në Uashington tha se nuk kishte "asnjë kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë publike".
Dyshohet se vrasësi veproi i vetëm. "Ne besojmë se të shtënat u kryen nga një individ i vetëm. I dyshuari ishte parë vazhdimisht duke ecur para muzeut para të shtënave. Ai iu afrua një grupi prej katër personash, nxori një pistoletë dhe hapi zjarr, duke qëlluar viktimat", tha Smith.
(A2 Televizion)