“Treni bullgar” në Elbasan, Celibashi kërkon hetim për denoncimin e PD

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 13:46 | Aktualitet

Në daljen e sotme për mediat, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi u pyet lidhur me denoncimin që u bë nga selia blu, ku kryedemokrati Sali Berisha paraqiti prova sipas tij që skema e manipulimit me vota, e ashtuquajtur “treni bullgar” është realizuar në Elbasan.

Kryekomisioneri tha se KQZ nuk është në dijeni të kësaj shkelje, por bëri thirrje që denoncimi publik i PD të hetohet nga strukturat ligjzbatuese.

Nuk kemi dijeni nuk na është bërë me dije, por mund të them pa hezitim që rasti do të duhet të hetohet dhe verifikohet nga organet e procedimit penal. Duhet patjetër për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të paraqitur publikisht”, tha Celibashi, raporton A2 CNN.

Sakaq, pak para konferencës së kreut të KQZ, kryedemokrati Berisha denoncoi skandalin zgjedhor në Elbasan, të njohur si “treni bullgar”, duke e cilësuar si një rast të manipulimit të votave.

Kreu demokrat publikoi prova të reja, sipas të cilave, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Pekisht, Dervish Beqiri, vëzhgues i PS-së, janë gjetur sasi të konsiderueshme materialesh zgjedhore, si fletë votimi, lista votimi dhe euro të dyshimta.

‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro”, u shpreh Berisha, përcjell A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos