“Sulmi pa bazë ligjore”, Macron kundër Trump: Regjimin iranian e largon populli, jo bombat

Nga Erjon Dervishi
23 Qershor 2025, 23:28 | Bota

“Sulmi pa bazë ligjore”, Macron kundër Trump: Regjimin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dalë totalisht kundër veprimit unilateral të Donald Trump për bombardimin e Iranit.

Në një reagim para opinionit publik, Macron e quajti veprimin amerikan pa legjitimitet dhe paralajmëroi se ndryshimi i regjimit në Iran duhet të jetë produkt i vetë popullit të Iranit dhe jo i bombave, shkruan A2.

“Nëse mund të konsiderojmë se ka legjitimitet në neutralizimin e strukturave bërthamore në Iran, duke marrë parasysh objektivat tona, e them se ky aksion nuk ka kornizë ligjore. Jo. Dhe kështu, duhet thënë ashtu siç është, nuk ka legjitimitet në këto sulme. Edhe nëse Franca ndan objektivin për të mos e parë Iranin të pajiset me "armë bërthamore", ne kemi konsideruar vazhdimisht që nga fillimi se kjo mund të arrihet përmes mjeteve diplomatike dhe teknike”, tha Macron.

“Unë besoj në sovranitetin e popujve dhe integritetin territorial. Unë besoj në të edhe në Ukrainë, dhe vërej se të gjithë e besojmë atë meqenëse e mbrojmë atë. Pra, kjo vlen kudo në botë. Nuk ka standarde të dyfishta. Nuk mendoj se mund të zëvendësosh një popull për të ndryshuar udhëheqësit e tij. Dhe kur shikoj historinë moderne të kohëve të fundit, mendoj se sa herë që është bërë kjo zgjedhje, cilado qoftë legjitimiteti i qasjes fillestare, mund të ketë pasur disa. Ndonjëherë, kemi bërë një gabim, për të mos thënë një faj, dhe kjo kurrë nuk çoi në një stabilizim më të madh. Isha në kontakt me të gjithë udhëheqësit e rajonit dje dhe nuk dëgjova asnjë lider të qetësuar nga ajo që po ndodhte. Prandaj, mendoj se nëse do të ketë ndryshim regjimi në Iran, ai duhet të jetë produkt i vetë popullit iranian, jo i bombave”, shtoi Macron. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos