Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme vijon të mbajë në flakë vendet e Gjirit Persik. Dronë të tjerë iranianë goditën rafinerinë e naftës së Mina Al Ahmadi në Kuvajt. Po ashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Bahreini raportuan sulme raketore dhe me dronë gjatë orëve të fundit.
Izraeli goditi me një valë intensive sulmesh ajrore kryeqytetin iranian, Teheranin, teksa qytetarët e këtij vendi shënojnë Vitin e Ri persian. Edhe Irani lëshoi një seri raketash kundër Jerusalemit, ku sirenat e alarmit ranë përgjatë gjithë natës.
Më herët, në shënjestër u vu një rafineri në portin e Haifës, ku pati dëme, por jo viktima.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha më herët për gazetarët se Irani ishte tashmë i shkatërruar dhe i paaftë të pasuronte uranium apo të prodhonte raketa balistike. Qartazi nën shtysën e Shteteve të Bashkuara, Netanjahu theksoi se Izraeli kishte vepruar i vetëm në shënjestrimin e fushës së gazit në Iran dhe se, pas kërkesës së presidentit Trump, do të përmbahej nga akte të tilla ndaj infrastrukturës energjetike në të ardhmen.
“Dua të them dy gjëra. Fakti numër një: Izraeli veproi i vetëm kundër fushës së gazit në Asaluyeh. Fakti numër dy: Presidenti Trump na kërkoi të përmbahemi nga sulme të ardhshme dhe ne do ta bëjmë”, tha Netanyahu, përcjell A2 CNN.
Garda Revolucionare e Iranit bëri të ditur se sulmet amerikane dhe izraelite kishin vrarë zëdhënësin e tyre, Mohammad Naini. “Ai u martirizua në një sulm mizor dhe terrorist nga ana e regjimit amerikano-sionist në agim”, thuhet në një deklaratë.
Ndërkohë, në një mesazh që i atribuohet ajatollahut Mojtaba Khamenei, thuhet se Ministria e Inteligjencës së Iranit duhet të vazhdojë rrugën e krijimit të pasigurisë për armiqtë. Ai i përcolli një mesazh ngushëllimi presidentit Pezeshkian për vrasjen e ministrit të Inteligjencës, Esmaeil Khatib.
Irani goditi dhe dëmtoi më herët një avion F-35 të Shteteve të Bashkuara, i cili, sipas kryeparlamentarit në Teheran, nuk ishte vetëm një mjet lufte, por një simbol i pathyeshmërisë dhe arrogancës ushtarake të SHBA-së. “Por dora e Zotit është mbi duart e tyre”, shkroi ai në rrjetet sociale. (A2 Televizion)