Khamenei: Armiqtë e Iranit gabuan rëndë

Nga A2 CNN
20 Mars 2026, 16:47 | Bota

Khamenei: Armiqtë e Iranit gabuan rëndë

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se SHBA-ja dhe Izraeli kanë bërë një “gabim të madh” lidhur me reagimin e popullit iranian ndaj sulmeve të fundit.

Në një deklaratë zyrtare, ai tha se kundërshtarët besonin se pas një ose dy ditësh sulme, qytetarët iranianë do të rrëzonin qeverinë, por kjo sipas tij, rezultoi një llogaritje e gabuar.

Khamenei u shpreh se lufta ishte nisur mbi “iluzionin” se eliminimi i figurave kryesore të regjimit dhe disa drejtuesve ushtarakë do të krijonte frikë dhe dëshpërim te popullsia, duke hapur rrugën për dominimin dhe madje shpërbërjen e Iranit.

Megjithatë, sipas tij, ka ndodhur e kundërta. Në vend është krijuar një “unitet i pazakontë” mes qytetarëve, pavarësisht dallimeve fetare, kulturore, politike dhe ideologjike.

Ai shtoi se ndërkohë që Irani është bashkuar përballë sfidave, “çarje” janë shfaqur në kampin e kundërshtarëve, duke lënë të kuptohet për përçarje apo mospërputhje mes aleatëve të SHBA-ve dhe Izraelit.

Deklarata vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve në rajon, ku retorika politike dhe zhvillimet ushtarake kanë rritur ndjeshëm pasigurinë, ndërsa autoritetet iraniane përpiqen të forcojnë kohezionin e brendshëm dhe mbështetjen publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos