Zaporizhia, centrali i rrezikut, beteja për energjinë që mund të trondisë Europën

Nga Rosalba Bejdo
29 Dhjetor 2025, 22:29 | Bota

Zaporizhia, centrali i rrezikut, beteja për energjinë që mund

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Europë, është një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në planin e paqes të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës.

Çështja është një nga 20 pikat e paraqitura nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në një propozim kornizë për paqe.

“Centrali bërthamor i Zaporizhzhias ishte një central me kapacitet 6 gigavatë. Është i dyti në Europë dhe i treti ose i katërti në botë, varet se si e llogarit, një nga centralet bërthamore më të mëdhenj në botë”, tha Oleksandr Kharchenko, drejtor i qendrës kërkimore të energjisë, shkruan A2 CNN.

Rusia mori kontrollin e centralit në mars të vitit 2022 dhe njoftoi planet për ta lidhur atë me rrjetin e saj energjetik. Pothuajse të gjitha vendet e konsiderojnë se centrali i përket Ukrainës, por Rusia thotë se ai është pronë e saj dhe se menaxhohet nga një njësi e korporatës shtetërore ruse të energjisë bërthamore, Rosatom.

Zelenski deklaroi në fund të dhjetorit se pala amerikane kishte propozuar një operim të përbashkët trilateral të centralit bërthamor, me një drejtues kryesor amerikan. Ai tha se propozimi ukrainas parashikon përdorim të përbashkët ukrainaso-amerikan të centralit, ku Shtetet e Bashkuara do të përcaktonin vetë mënyrën e përdorimit të 50% të energjisë së prodhuar.

“Kur diplomatët flasin me diplomatët ose biznesmenët me biznesmenët, pa inxhinierë, pa ekspertë sigurie dhe pa ekspertë të sigurisë bërthamore, pra pa njerëzit që janë realisht përgjegjës dhe që dinë si operohet një aset bërthamor, lindin ide shumë të çuditshme, të cilat janë shumë të vështira për t’u realizuar në praktikë. Sinqerisht, nuk e imagjinoj dot se si mund të funksionojë teknikisht një operim i përbashkët”, shkruan A2 CNN.

Sipas gazetës ruse Kommersant, Rusia ka shqyrtuar gjithashtu një përdorim të përbashkët ruso-amerikan të centralit. Centrali ndodhet në qytetin Enerhodar, në brigjet e lumit Dnipro dhe rezervuarit të Kakhovkës, rreth 550 kilometra në juglindje të kryeqytetit Kiev.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias ka gjashtë reaktorë të projektuar në kohën e Bashkimit Sovjetik. Të gjithë u ndërtuan në vitet 1980, megjithëse reaktori i gjashtë hyri në funksion vetëm në mesin e viteve 1990, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Kapaciteti total është 5.7 gigavatë, sipas një baze të dhënash të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

“Në periudhën e pavarësisë, centrali bërthamor i Zaporizhzhias u modernizua në mënyrë drastike. Ai është shumë ndryshe nga centrali i ndërtuar në kohën sovjetike.”

Pas marrjes së kontrollit nga Rusia, pesë nga gjashtë reaktorët u mbyllën dhe reaktori i fundit ndaloi prodhimin e energjisë elektrike në shtator të vitit 2022. Sipas menaxhimit rus, të gjashtë reaktorët ndodhen në gjendje “ndalimi të ftohtë”.

“Gjatë katër viteve të fundit, nuk kemi mundur të marrim informacion real për nivelin e degradimit të pajisjeve në central. Është e sigurt se, kur ke një bazë ushtarake mbi blloqet bërthamore, çdo ditë ndodh degradim. Nuk ka pasur mirëmbajtje të rregullt dhe centrali ndodhet në një regjim që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e energjisë bërthamore.”

Gjatë katër viteve të fundit, furnizimi me energji elektrike është ndërprerë të paktën 11 herë, duke e detyruar centralin të kalojë në gjeneratorë emergjentë me naftë.

“Do të nevojitej shumë kohë për të hetuar situatën dhe për të kuptuar se çfarë është e mundur. Sistemi i ftohjes bazohej në liqenin artificial të Kakhovkës, i cili u shkatërrua. Rivendosja e tij, edhe pjesërisht, do të marrë vite.”

Në planin afatgjatë, mbetet problem mungesa e burimeve ujore për ftohjen e reaktorëve, pasi diga e Kakhovkës u hodh në erë në vitin 2023.

“Një shembull shumë i thjeshtë: nuk ka liqen artificial. Kush do ta rivendosë ftohjen? Kush do të vërë në punë reaktorin e parë? Ka aq shumë pyetje, sa që nuk besoj fare në këtë skenar. Centrali do të mbetet ndoshta monumenti më i shtrenjtë i energjisë bërthamore në historinë e njerëzimit.”

Kompania ukrainase Energoatom tha se niveli i pellgut të ftohjes së centralit ka rënë me më shumë se 15%, ose rreth 3 metra, që nga shkatërrimi i digës dhe vazhdon të bjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos