Tronditje dhe mosbesim, ishin ndjesitë që u lexuan në fytyrat e qytetarëve pranë mbetjeve të tramvajit të famshëm elektrik të aksidentuar në Lisbonë, ku vdiqën 16 persona, por një 3 vjeçar gjerman ishte mes fatlumëve që u nxor i gjallë.
Ai u nxor nga vagoni që rrëshqiti me shpejtësi në segmentin e pjerrët që lidh Lisbonën qendrore me lagjen më të lartë të qytetit, duke u përplasur me një godinë, e duke i marrë jetën mes të tjerëve, edhe babit të 3 vjeçarit.
Nëna e vogëlushit ndërkohë, ishte mes 20 personave të plagosur.
Shtetas nga Portugalia, Koreja e Jugut, Kanadaja, Gjermania, Ukraina dhe SHBA, besohet të jenë mes viktimave. Rrëfime rrëqethëse kanë ardhur nga të mbijetuari e dëshmitarët të cilët flasin për njerëz të panikosur që hidheshin nga dritaret.
Shkaku i aksidentit nuk është i qartë, por Manuel Leal, kreu i sindikatës Fectrans tha për një televizion lokal se punonjësit ishin ankuar për probleme me kabllot që e kishin bërë të vështirë frenimin. Megjithatë sipas tij ishte herët për të përcaktuar nëse ky ishte shkaku i aksidentit.
Kompania lokale e transportit Carris këmbëngul se të gjitha protokollet ishin zbatuar, edhe pse mediat portugeze raportuan se kontrollet rutinë nuk ishin kryer prej javësh, pasi kontrata e mirëmbajtjes së tramvajit historik, nuk ishte rinovuar.
Hetime po zhvillohen për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Dy vagonë që përbëjnë të ashtuquajturin, Elevador de Gloria, ashensori i Glorias, janë në gjendje të mbajnë deri në 40 pasagjerë secili teksa hipin dhe zbresin në pjerrësi, përmes motorëve elektrikë që vënë në lëvizje kabllot që ku janë lidhjet.
Kablloja duket të jetë këputur sipas një zjarrfikësi e duke mos qenë në gjendje të kontrollojnë zbritjen, ra me shpejtësi përgjatë rrugës me kalldrëm duke u përplasur me një godinë. (A2 Televizion)