
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Izraelin se po lejon me vetëdije shkarkimin në portet izraelite të grurit të vjedhur nga Rusia, duke kërcënuar me vendosjen e sanksioneve ndaj kujtdo të përfshirë në këto dërgesa, të cilat Kievi thotë se kanë vazhduar pavarësisht thirrjeve të shumta drejtuar zyrtarëve izraelitë.
Paralajmërimi i Zelenskyt të martën pasqyron një përçarje në thellim mes dy vendeve, e cila u përshkallëzua me mbërritjen në ujërat izraelite të një anijeje të quajtur “Panormitis”, e cila hyri në Gjirin e Haifës javën e kaluar dhe aktualisht ndodhet e ankoruar në det të hapur, duke pritur një vend për t’u ankoruar. Ukraina thotë se anija po transporton grurë të vjedhur nga territoret e pushtuara ukrainase dhe do të ishte dërgesa e dytë e tillë që ankorohet dhe shkarkon në Haifa këtë muaj.
“Në çdo vend normal, blerja e mallrave të vjedhura është një veprim që sjell përgjegjësi ligjore. Kjo vlen, në veçanti, për grurin e vjedhur nga Rusia,” shkroi Zelensky në platformën X. “Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë biznes i ligjshëm. Autoritetet izraelite nuk mund të mos jenë në dijeni se cilat anije mbërrijnë në portet e vendit dhe çfarë ngarkese mbajnë.”
Në një seri reagimesh të forta, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, akuzoi Ukrainën për “diplomaci në Twitter”, duke thënë se nuk janë paraqitur prova për pretendimin se gruri është i vjedhur. Ai gjithashtu theksoi se anija e diskutueshme “Panormitis” nuk është ankoruar ende në Haifa, duke shtuar se autoritetet tatimore izraelite po e shqyrtojnë çështjen.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia më shumë se katër vite më parë, Kievi ka akuzuar vazhdimisht Moskën për grabitje sistematike të burimeve të saj bujqësore, origjina e vërtetë e të cilave, sipas tij, fshihet kur gruri i vjedhur shitet në tregjet botërore.
Sipas një raporti investigativ në gazetën izraelite Haaretz, të paktën katër dërgesa gruri të paligjshëm janë ankoruar në Izrael këtë vit. Raporti shton se dërgesa të tilla kanë vazhduar që nga viti 2023, me numrin total që ka arritur mbi 30.
Pas raportit të Haaretz dhe mbërritjes së “Panormitis”, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, të martën thirri ambasadorin izraelit në Kiev për të protestuar ndaj asaj që ai e quajti “mungesë përgjigjeje të duhur nga Izraeli”, duke shtuar se kjo “dëmton marrëdhëniet dypalëshe”.
Një zyrtar izraelit, duke folur për CNN në kushte anonimiteti, tha se Izraeli nuk mund të konfiskojë dërgesat pa ndjekur procedurat ligjore, duke theksuar se ekziston një “protokoll i vendosur për ndihmë të ndërsjellë juridike”, sipas të cilit prokurori i përgjithshëm i Ukrainës duhet të paraqesë një kërkesë për ndihmë juridike, të sigurojë prova dhe të koordinohet me policinë izraelite për të ndaluar anijen, përcjell A2CNN.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës e hodhi poshtë këtë pretendim, duke i thënë CNN gjatë një konference për shtyp në Kiev se Ukraina ka “shteruar të gjitha kanalet e mbyllura dhe kërkesat zyrtare diplomatike”.
Ai shtoi se Izraeli nuk është i vetmi që importon grurë të paligjshëm, duke thënë se Ukraina ka prova për një “praktikë sistematike” që tregon “lehtësim të qëllimshëm të aktivitetit ekonomik të paligjshëm” të lidhur me pushtimin rus të disa pjesëve të Ukrainës.
Edhe Bashkimi Europian ndërhyri, duke kërkuar informacion shtesë nga autoritetet izraelite për këtë çështje dhe duke paralajmëruar se mund të vendosë gjithashtu sanksione ndaj të përfshirëve.
“Ne dënojmë të gjitha veprimet që ndihmojnë financimin e luftës së paligjshme të Rusisë dhe anashkalimin e sanksioneve të BE-së dhe mbetemi të gatshëm të synojmë veprime të tilla duke futur në listë individë dhe subjekte në vende të treta, nëse është e nevojshme,” tha një zëdhënës i BE-së për CNN.
Marrëdhëniet Izrael-Ukrainë kanë qenë vazhdimisht të tensionuara që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022. Udhëheqësit izraelitë janë përpjekur të mbajnë të hapura kanalet si me Kievin ashtu edhe me Moskën, duke kufizuar ndihmën ushtarake për Ukrainën kryesisht në ndihmë humanitare jo-vdekjeprurëse dhe duke refuzuar presionin për të transferuar sisteme armësh të prodhuara në Izrael drejt Kievit.
Së fundmi, Ukraina është pozicionuar si një ofruese sigurie rajonale në Lindjen e Mesme, duke ofruar partneritete dhe ekspertizë veçanërisht në mbrojtjen kundër dronëve, pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën luftën e tyre ndaj Iranit.
Vetë Zelensky vizitoi muajin e kaluar Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Jordaninë, por nuk ndaloi në Izrael. (A2 Televizion)