Zelensky i kërkon Trumpit të vizitojë Ukrainën përpara marrëveshjes me Rusinë

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 08:43 | Bota

Zelensky i kërkon Trumpit të vizitojë Ukrainën përpara

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Donald Trump-it që të vizitojë Ukrainën përpara çdo marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Në një intervistë për CBS, Zelensky tha:
“Ejani të shihni vetë civilët, luftëtarët, fëmijët e plagosur dhe të vdekur përpara se të vendosni për negociata.”

Kjo deklaratë vjen pas sulmit të fundit rus në qytetin Sumy, ku 34 persona humbën jetën dhe 117 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë. Rusia ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë sulm.

Donald Trump e përshkroi ngjarjen si një “gjë të tmerrshme” dhe tha se “i ishte thënë se ndodhi një gabim”. Ndërkohë, përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë e kanë cilësuar sulmin si krim lufte.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti Rusinë “agresore të qartë” dhe kërkoi masa urgjente për armëpushim.
Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe presidenti francez Emmanuel Macron dënuan ashpër sulmin, duke theksuar nevojën për presion ndërkombëtar mbi Rusinë.

SHBA, Franca, Britania dhe BE kanë ripërsëritur mbështetjen për Ukrainën dhe përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë e të qëndrueshme, ndërkohë që ofensiva ruse pritet të përshkallëzohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos