
Brazilianët votojnë sot në zgjedhjet presidenciale, në një garë të ngushtë mes presidentit në detyrë, Luiz Inacio Lula da Silva, dhe senatorit Flavio Bolsonaro. Lula synon një mandat të katërt, që do të ishte i paprecedentë në historinë e vendit.
Qendrat e votimit në të gjithë Brazilin janë hapur në orën 08:00 sipas orës lokale dhe do të mbyllen në orën 17:00 të pasdites. Rreth 160 milionë qytetarë kanë të drejtë vote për presidentin, guvernatorët dhe përfaqësuesit federalë.
Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se gjysmën e votave të vlefshme, dy kandidatët më të votuar do të përballen në raundin e dytë, që do të zhvillohet më 25 tetor. Lula kryeson, por gara mbetet e hapur
Presidenti i majtë Lula pritet të renditet i pari në raundin e parë, ku garojnë 13 kandidatë. Megjithatë, sondazhet tregojnë se ai nuk pritet të sigurojë shumicën e nevojshme për ta mbyllur garën që në raundin e parë.
Sipas sondazheve të fundit, Lula dhe Flavio Bolsonaro janë pothuajse në të njëjtin nivel në një përballje të mundshme në raundin e dytë, me diferenca brenda marzhit të gabimit.
Fushata e fundit është dominuar nga çështjet e sigurisë, ekonomisë dhe një sërë hetimesh federale që vijojnë në vend.
Skena politike braziliane mbetet thellësisht e polarizuar, ndërsa hetimet e profilit të lartë nga drejtësia dhe institucionet federale kanë përfshirë figura politike si nga qeveria, ashtu edhe nga kampi opozitar.
Lula, një prej figurave më të njohura të së majtës në botë, ka hasur vështirësi për të bindur elektoratin t’i japë një mandat të katërt, jo të njëpasnjëshëm. Avantazhi i konsiderueshëm që kishte në fillim të fushatës është ngushtuar ndjeshëm.
Pavarësisht uljes së pabarazisë dhe papunësisë, mbështetja për Lulën është dëmtuar nga rritja e kostos së jetesës, borxhet e larta të familjeve dhe kërcënimi i bandave kriminale. Flavio Bolsonaro është paraqitur gjatë fushatës si mbrojtësi politik i babait të tij, Jair Bolsonaro, ish-presidentit të ekstremit të djathtë, i cili ndodhet në burg.
Jair Bolsonaro vazhdon të ketë mbështetje të konsiderueshme te konservatorët në Brazil dhe jashtë vendit, pavarësisht dënimit të tij vitin e kaluar për përpjekje për organizimin e një grushti shteti me qëllim përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2022.
Trajtimi që iu bë Jair Bolsonaros pas procedimit dhe dënimit të tij u kritikua ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili në atë kohë e cilësoi ndjekjen penale ndaj ish-presidentit brazilian si një “gjueti shtrigash”.
(A2 Televizion)