Zjarr në resortin zviceran gjatë festës së Vitit të Ri, disa të vdekur

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 09:06 | Bota
Zjarr në resortin zviceran gjatë festës së Vitit të Ri,

Disa persona kanë humbur jetën dhe të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të rënë gjatë një feste të Vitit të Ri në një resort skish në jug të Zvicrës, shkruan A2. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 01:30, në ambientet e lounge barit “Le Constellation” në Crans-Montana, sipas autoriteteve policore.

Zëdhënësi i policisë së kantonit Valais, Gaetan Lathion, konfirmoi se zjarri ka shkaktuar disa viktima dhe të plagosur, por pa dhënë një shifër të saktë për numrin e tyre. Deri më tani, policia nuk ka dhënë detaje mbi shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa hetimet janë ende në vijim.

Një konferencë për shtyp pritet të mbahet gjatë paradites nga policia dhe prokuroria rajonale për të dhënë më shumë informacion mbi rrethanat e ngjarjes.

Crans-Montana konsiderohet një nga zonat turistike më ekskluzive të Zvicrës, e njohur për resortet luksoze, pistat e shumta të skive dhe jetën e gjallë pas skiimit. E pozicionuar rreth 1500 metra mbi nivelin e detit, zona ofron pamje mbresëlënëse alpine që shtrihen nga Matterhorn deri te Mont Blanc. Me rreth 15 mijë banorë, Crans-Montana është një destinacion i preferuar edhe për figura të njohura publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos