Gjiri i Finlandës, një zonë e qetë në dukje në veri të Europës, po kthehet në një pikë të nxehtë të tensioneve mes Rusisë dhe NATO-s. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ky korridor detar, vetëm 130 kilometra i gjerë, mund të bëhet skena e një përplasjeje të re globale nëse Europa nuk vepron me unitet.
Zona luan një rol jetik për ekonominë e luftës së Rusisë. Përmes saj kalojnë çdo ditë dhjetëra anije tregtare dhe cisterna nafte, shumë prej të cilave janë pjesë e ashtuquajturës “flotë fantazmë”, anije me pronarë të paidentifikueshëm që përdoren për të transportuar naftë dhe mallra të ndaluara nga sanksionet ndërkombëtare. Sipas ish-diplomates gjeorgjiane Natalie Sabanadze, Moska e përdor këtë rrugë për të anashkaluar kufizimet perëndimore dhe për të ruajtur flukset tregtare, shkruan A2 CNN.
Në muajt e fundit janë regjistruar disa incidente shqetësuese: një anije e ndaluar nga autoritetet franceze pas dyshimeve për përfshirje në lëshimin e dronëve mbi hapësirën ajrore të NATO-s dhe rasti i “Eagle S”, e akuzuar për dëmtimin e pesë kabllove nëndetëse të telekomunikacionit, akte të cilat disa shtete i kanë cilësuar si sabotazh.
Ekspertët theksojnë se mungesa e mbikëqyrjes së rreptë dhe koordinimit europian mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm që do të përbënte kërcënimin më serioz për sigurinë në kontinent që prej Luftës së Ftohtë. (A2 Televizion)