Drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili, foli lidhur me draft-strategjinë për kulturën 2026–2030 në Maqedonia e Veriut, e cila parashikon riorganizimin e institucioneve kulturore.
I ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” në A2 CNN, Qamili bëri të ditur se ka zhvilluar një komunikim të drejtpërdrejtë me ministrin e Kulturës, i cili i ka shpjeguar arsyet e këtij drafti.
Sipas tij, një nga ndryshimet kryesore të propozuara është që Ansambli i Tetovës të mos funksionojë më si institucion i pavarur, por të kalojë nën administrimin e Qendrës për Kulturë në Tetovë, në kuadër të riorganizimit të institucioneve kombëtare.
“Ky ndryshim nënkupton ulje të vlerës dhe të statusit të ansamblit. Është një transferim kompetencash që praktikisht e ul nivelin e institucionit dhe e largon nga qëllimi për të cilin është krijuar”, u shpreh Qamili.
Gjithashtu Qamili theksoi se arsyeja kryesore duket të jetë ekonomike, konkretisht shqetësimi për ngarkesën në buxhetin e shtetit.
“Sipas deklarimeve, ekziston një frikë se shtimi i institucioneve kulturore do të rëndojë buxhetin. Kjo mund të ketë një logjikë ekonomike, por nuk ka një bazë strategjike kulturore”, tha ai. (A2 Televizion)