
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis sinjalizoi sot nisjen e procesit për rishikimin e Kushtetutës, e miratuar në vitin 1975 pas rënies së juntës ushtarake. Mitsotakis bëri thirrje për një rishikim të guximshëm të kushtetutës, për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore.
Ndryshimet kryesore të propozuara nga qeveria e tij konservatore kanë të bëjnë me nenet 16 dhe 86, të cilat trajtojnë përkatësisht universitetet jopublike dhe përgjegjësinë ministrore.
Propozime të tjera përfshijnë një dispozitë kushtetuese mbi koston e programeve të partive, qëndrueshmërinë në shërbimin civil, zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe përzgjedhjen e drejtuesve të sistemit gjyqësor.
“Kam 20 vjet që mbroj ndryshimin e nenit 86,” tha Mitsotakis. “Po aq i qartë është edhe angazhimi im në luftën kundër deep state-it. Një administratë publike efikase dhe miqësore ndaj qytetarëve duhet tashmë të udhëhiqet nga vlerësimi i vazhdueshëm dhe duhet ta vendosë konceptin e qëndrueshmërisë në detyrë mbi një bazë krejtësisht të re,” tha kryeministri grek, raporton A2CNN.
Ai shtoi se rishikimi i Kushtetutës do të përfshijë veprime që mos ta lejojnë më vendin të rrëshqasë në populizëm. (A2 Televizion)