A mund të zhbëhet Gjykata Speciale? Juristi nga Londra: Do të duhet mbështetje ndërkombëtare

Nga A2 CNN
19 Shtator 2026, 22:33 | Aktualitet

Andi Hoxhaj, jurist dhe akademik në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se çfarë do të kërkohet në Apel nga ekipi mbrojtës i ish-krerëve të UÇK-së.

Fillimisht, juristi shpjegoi se do të jetë e vështirë që të zhbëhet Gjykata Speciale: “Ata që e kanë ndërtuar dhe e kanë ngritur gjykatën, kanë qenë shumë specifikë në detajet e tyre. Në radhë të parë e kanë hequr mënyrën se si Parlamenti mundet ta zhbëjë pa patur së bashku pakicën serbe. Gjithashtu, do të duhet edhe një mbështetje ndërkombëtare për ta zhbërë atë si gjykatë. Ky ka qenë konceptimi dhe nga ana juridike për momentin është tejet e vështirë, të paktën për sa kohë katër krerët e UÇK-së janë në një proces gjyqësor dhe ne do ta shikojmë pastaj Apelin se çfarë ka për të bërë”.

Kur u pyet se çfarë pret nga Apeli, ai u përgjigj: “Apeli besoj se do marrë diku tetë muaj deri në një vit. Me atë që unë kam lexuar, do kërkojnë që mbi 200 dëshmi që janë bërë që janë bërë me shkrim të koraborohen, që të kërkohet a ka pasur dëshmitarë të tjerë realë. Tjetra pastaj janë evidencat sepse në shumë nga ato vendimet janë shumë hipoteza që janë ngritur se çfarë këta katër persona kanë bërë pasi kanë ardhur në pushtet, jo për çfarë ata kanë bërë gjatë çlirimit të Kosovës”.

“Kjo si gjykatë ka për t'u shkrirë eventualisht sepse do ta mbarojë funksionin e saj dhe të gjitha këto gjykatat speciale apo gjykatat e posaçme ngrihen vetëm se kanë disa çështje specifike që duhet të merren dhe në atë momentin kur mbaron ai si proces, ato zhbëhen. Kështu që, dhe kjo si gjykatë ka për t'u zhbërë eventualisht. Aktualisht, çfarë qeveritë mundet të ndërmarrin është që të lobojnë dhe ta ngrënë zërin me të gjithë ndërkombëtarët ku e kanë gjetur këtë mbështetje. Çfarë neve shikojmë pozitive është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër gjykatave ndërkombëtare”, shtoi më tej Hoxhaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos