Alarmi/ Zyrtari nga Presheva: Rrezikojmë të kthehemi në vitin 2001 ku shqiptarët do të mbrojnë pragun e tyre

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2025, 23:24 | Aktualitet

Alarmi/ Zyrtari nga Presheva: Rrezikojmë të kthehemi në vitin

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, në një intervistë për emisionin Rretheqark nga Xhevahir Qardakut në A2 CNN, deklaroi se pas reagimit të fortë në Kongresin Amerikan priten hapa konkretë për ndalimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke filluar me rikthimin e adresave të pasivizuara.

Rexhepi theksoi se situata aktuale është tepër e rrezikshme, sidomos për shkak të diskriminimit në institucionet e sigurisë. Sipas tij, nëse vazhdon ky trend, brenda dhjetë vitesh asnjë shqiptar nuk do të mbetet në policinë e Serbisë në Luginë.

“Kjo është alarmante. Konflikti i vitit 2001 erdhi pikërisht nga shtypja institucionale dhe nga sjelljet e policisë. Nëse policia bëhet tërësisht etnike serbe, diskriminimi dhe shtypja do të jenë të pashmangshme, dhe shqiptarët do të detyrohen të mbrojnë veten. Kjo mund të na kthejë në situatat e vitit 2001, dhe kjo nuk duhet të lejohet,” u shpreh Rexhepi.

Ai tha se këtë shqetësim ia ka paraqitur personalisht partnerëve ndërkombëtarë: “E kemi thënë hapur si në Berlin, ashtu edhe në Washington: kjo çështje është tepër delikate dhe mund të degjenerojë në skenarë shumë të rrezikshëm nëse nuk veprohet tani.”

Rexhepi u shpreh optimist se pas sinjalit të fortë nga Kongresi Amerikan, politika serbe do të vihet nën presion për të korrigjuar shkeljet: “Hapi i parë duhet të jetë rikthimi i të gjitha adresave të pasivizuara dhe integrimi real i shqiptarëve në institucione.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos