Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë dhanë gjithsej 81 vite burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm dhe i kanë kundërshtuar akuzat gjatë gjithë procesit.
Në një intervistë për A2CNN, avokati Skender Musa ka komentuar aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mundësinë e ankimimit të tij në Gjykatën e Apelit.
Musa thotë se aktgjykimi, sipas interpretimit të tij, ka shkelur ligjin penal dhe se dënimet e shqiptuara janë në kundërshtim me ligjin që, sipas tij, ka qenë i aplikueshëm në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale.
“Në bazë të rezymesë që e ka dhënë kryetari i trupit gjykues, shihet qartë se aktgjykimi në radhë të parë ka shkelur ligjin penal. Për shkak se në bazë të ligjit penal të Jugosllavisë, dënimi maksimal i shqiptuar me burg është 15 vite. Ky ligj, ka qenë i zbatueshëm në kohën që pretendohet se janë kryer veprat penale. Në rastin e ushtarëve të UÇK-së, janë dhënë 23 vite burg më tepër se sa e parasheh ligji”.
Sipas avokatit, gjatë procesit nuk është vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme gjendja faktike apo se janë përdorur prova rrethanore. I pyetur për mundësinë e ndryshimit të aktgjykimit në shkallën e Apelit, Musa ka thënë se kjo, sipas tij, do të varet nga përbërja e trupit gjykues dhe mënyra se si do të shqyrtohen provat.
“Nëse do të ketë kolegj të pavarur në Kolegjin e Apelit, gjyqtar kredibil e jo sikur Smith që e di krejt Kosova e shqiptarët e kolegët e tij që kanë punuar në Kosovë e dijnë që ai është një antishqiptarë i përbetuar. Prej personave të tillë dhe shokëve të tij nuk mund të pritet një drejtësi.
Avokati Musa ka kritikuar edhe punën e ekipeve mbrojtëse, duke thënë se, sipas tij, në fazat e para të procesit është dashur të ndërmerren hapa të tjerë proceduralë. Musa ka përmendur rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, si një rast ku vendimi i shkallës së parë është ndryshuar në apel.
“Ka pasur raste në Hagë. Rasti i Kroacisë në krye me Gotovina (gjenerali Ante Gotovina). Gjykata e shkallës së parë e ka shpallur fajtorë pastaj pas një organizimi dhe mbrojtje të fuqishme, agresive të të akuzuarit duke shkatërruar të gjitha pretendimet e thashethemet”.
Sipas Musës, institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të përfshira sa duhet në monitorimin e procesit, me çrast i ka quajtur të dështuara.
I pyetur për skenarin e mundshëm juridik, avokati Skender Musa thekson se nëse gjithçka shkon sipas dispozitave ligjore, Thaçi dhe të tjerët mund të jenë të lirë ose mund të zvogëlohet dënimi.
“Nëse do të ketë skenar juridik dhe zbatim të dispozitave ligjore që aplikohen nga Dhomat e Specializuara këta katër persona janë të lirë sepse nuk ka asgjë ndaj tyre, nuk ka prova ndaj tyre.
Në pjesën e fundit të intervistës, Musa ka folur edhe për ndikimin e mundshëm të këtij procesi në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Sipas tij, Serbia vazhdon të lobojë dhe të punojë diplomatikisht kundër Kosovës. Pjesën më të veçantë të deklaratës, avokati e lidh me dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë. (A2 Televizion)