"Defender Europe 25", Kurti dhe Osmani vizitojnë trupat e FSK: Jemi gati për anëtarësimin në NATO

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 16:02 | Aktualitet

"Defender Europe 25", Kurti dhe Osmani vizitojnë trupat e FSK:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë vizituar gjatë ditës nga afër trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe ata amerikanë dhe të vendeve të tjera që po marrin pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Defender Europe 25”.

Gjatë vizitës, Presidentja Osmani theksoi se ky bashkëpunim dëshmon se Kosova jo vetëm që është e gatshme të japë kontribut në operacione të tilla ushtarake, por edhe të jetë një shtet i barabartë dhe anëtar i NATO-s.

Jemi të gatshëm jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por edhe të jemi shtet i barabartë dhe anëtar i NATO-s. Dua t’i falënderoj gjeneralët amerikanë që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrah ushtarëve tanë në trajnime dhe përgatitje”, deklaroi Osmani.

Ndërkohë, kryeministri Kurti u shpreh se pjesëmarrja në këtë ushtrim ka dëshmuar ndërveprueshmërinë e Kosovës me NATO-n.

“Kemi treguar dhe demonstruar fuqinë tonë dhe bashkëpunimin tonë me NATO-n. Kjo e forcon edhe më shumë kauzën tonë për anëtarësim në NATO – jo vetëm për përfitimin tonë, por edhe për kontributin që japim. Në ‘Defender Europe 2025’ po marrin pjesë gjithsej 25 shtete. Ne kemi shpronësuar 4,500 hektarë tokë, e cila tash është nën pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Babaj të Bokës, për të treguar përkushtimin tonë për trajnime të vazhdueshme, që do të rrisin aftësitë dhe kapacitetet e FSK-së”, deklaroi Kurti.

Sot, në prani të krerëve më të lartë të shtetit, përfaqësuesve diplomatikë dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, Forca e Sigurisë së Kosovës organizoi “Ditën e Vizitorëve të Shquar” në kuadër të ushtrimit fushor shumëkombësh “Defender Europe 25” (DE/IR25). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos