Diaspora e Kosovës bëhet zyrtarisht me një dritare për investime. Programi i ri u prezantua në Prishtinë dhe në fokus do të ketë garantimin e kredive për të nxitur investime nga mërgata në vendin e tyre të lindjes. Ministri i Financave, Hekuran Murati, konfirmoi se institucioni që drejton ka ndarë 8 milionë euro kapital, ndërsa Fondi Kosovar për Garanci Kreditore vendosi në dispozicion 2 milionë euro. Projekti në fjalë do të kapë vlerën e 100 milionë eurove, dhe investuesve nga diaspora do t’u lehtësohet marrja e kredive në banka.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se Kosova është bërë një vend i mirë për të jetuar dhe sinjalizoi se mërgimtarët po kthehen në shtetin e tyre.
Qeveria amerikane me anë të USAID-it, është bërë zyrtarisht të një nga partnerët kryesore të këtij projekti, duke e konsideruar atë një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike.
“Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, sepse kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora ofrojnë. Kur ndërmarrësit nga diaspora kthehen, por edhe investojnë, ata sjellin më të mirën e botës këtu në vendin e tyre, sepse ata i zbatojnë dhe ndajnë shkathtësitë që kanë mësuar jashtë Kosovës”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë.
Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, foli për impaktin e madh që do të ketë ky projekt, duke e konsideruar atë si veprimin më të paktë që mund të bëhej për mërgatën. Nga "Dritarja e Diasporës për investime" mund të përfitojnë ndërmarrjet e reja dhe ato aktuale që janë themeluar nga diaspora dhe janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve dhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Marrëveshja është firmosur mes Ministrisë të Financave dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, në partneritet me USAID-in. (A2 Televizion)