Pedagogu Ermal Hasimja është shprehur se Gjykata Speciale e Kosovës nuk do të ndryshojë qëndrim për krerët e UÇK-së, pas protestës së zhvilluar ditën e sotme në Tiranë.
Komentet Hasimja i bëri në emisionin ‘ÇdoKënd’ me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, ku tha se as protesta me 10 mijë vetë në Hagë, as protesta në Prishtinë dhe as nëse dalin në shesh 1 milionë shqiptarë, nuk mund ta ndryshojnë vendimin e Gjykatës.
Ai shtoi gjithashtu se nga ana tjetër, protesta në mbështetje të UÇK-së në Tiranë, pati vlera dhe dobi të tjera në promovimin e luftës së drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së.
“Gjykata nuk do ndryshojë mendim ose qëndrim për shkak të një proteste që do bëhet në Tiranë, kjo është e sigurtë. As nga ajo e Hagës me 10 mijë veta, as nga ajo e Prishtinës, as sikur të dalin 1 milionë shqiptarë në rrugë. Se gjykatat nuk funksionojnë ashtu. Por nga ana tjetër, këto përfitimet e tjera, ose këto vlerat dhe dobitë e tjera, manifestimi sigurisht që i pati”, tha mes të tjerash Hasimja.
(A2 Televizion)