FSK-ja qëndroi gabimisht në veri?

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 12:28 | Aktualitet

FSK-ja qëndroi gabimisht në veri?

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radio Evropa e Lirë se pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) qëndruan në Mitrovicë të Veriut më 16 tetor, por “për shkak të një gabimi”.

“E humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”, tha Elshani.

Sipas tij, Policia e Kosovës i ka parë pjesëtarët e FSK-së, ka biseduar me ta dhe më pas ata janë larguar nga veriu.

Prania e FSK-së në veri të vendit është e mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me pyetjet nëse është në dijeni që FSK-ja ka qëndruar në veri dhe përse, dhe është duke pritur përgjigje.

Përgjigje për këto pyetje, REL-i po pret edhe nga KFOR-i.

Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos