Shqiptarët janë përherë fajtorët sipas shtetit serb. Sipas Fondit për të Drejtat Humanitare rezulton se gjatë vitit 2024, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka rritur ndjeshëm numrin e aktakuzave.
Shumica e tyre janë ngritur ndaj shqiptarëve të Kosovës, citon Radio Europa e Lirë dhe ky është rezultat i presionit politik nga autoritetet dhe mediat proqeveritare në Serbi.
Ndonëse Serbia vazhdoi me arrestimin e shtetasve të Kosovës në pikat kufitare edhe në vitin 2024, shumica e aktakuzave janë ngritur ndaj personave që nuk janë të arritshëm për sistemin gjyqësor serb. Sipas Fondit për të Drejtat Humanitare, në vend të përmirësimit të bashkëpunimit me Kosovën, po vihet në praktikë gjykimi në mungesë, shkruan A2 CNN.
Viti 2024 u karakterizua, gjithashtu, nga mungesa e bashkëpunimit me vendet fqinje, zvarritja e gjykimeve për krimet e luftës të viteve '90, dënimet joproporcionale për të dënuarit, si dhe mosndjekja penale e pjesëtarëve të lartë të forcave serbe. (A2 Televizion)