26-vjetori i çlirimit të Kosovës. Homazhe te Rugova, Demaçi e Jasharajt: Bartës të procesit të lirisë

Nga Rosalba Bejdo
12 Qershor 2025, 21:15 | Aktualitet

Në 26-vjetorin e çlirimit, politika dhe qytetarët e Kosovës kanë përkujtuar sakrificën e të rënëve për liri. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ajo e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, zhvilloi fillimisht homazh pranë varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.  

Rugovën e cilësoi si kontribues të madh për unitetin e popullit, ndërsa Demaçin e kujtoi si simbol të rezistencës. Homazhet u zhvendosën më pas në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz: “Sa herë që vjen 12 qershori, rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë, në këtë vend të familjes së jashtëzakonshme Jashari, aq të jashtëzakonshme saqë të papërsëritshme dhe të kryekomandantit Adem Jashari, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila ishte bartëse e procesit të lirisë, që para 26 viteve u shoqërua edhe me ndërhyrjen e avionëve të NATO-s, kundër Serbisë armike, agresore, pushtuese, okupatore e sidomos shoviniste ndaj shqiptarëve. Më 12 qershor jemi përplot krenari për të arriturat tona për shtetin dhe lirinë që gëzojmë, por njëkohësisht edhe me mall e pikëllim për ata bijë e bija që nuk janë në mesin tonë e ishin më të mirët sepse u sakrifikuan e u flijuan për çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit”. 

Në Prekaz, ishin edhe përfaqësues të partive opozitare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se liria i kishte rrënjët pikërisht në Prekaz. Kompleksin memorial të familjes Jashari e kanë vizituar edhe qytetarët e thjeshtë, të cilët e kanë vënë theksin tek bartja e historisë së popullit, brez pas brezi.

Njëzet e gjashtë vite më parë, në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare mes popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos