Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se uji nga kanali i Ibër-Lepencit mund të përdoret edhe për pije. Njoftimi vjen rreth dy javë pas sulmit që dëmtoi kanalin në veriun e vendit.
Në një njoftim në Facebook, instituti tha se ka bërë analiza laboratorike për ujin në impiantet e trajtimit të tij në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj, në katër ditët e fundit.
“Rezultatet laboratorike nga dy laboratorët, për katër ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm për të gjithë parametrat e kërkuar sipas standardeve”, tha Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. (A2 Televizion)