Kosova do të presë rreth 50 emigrantë të deportuar nga SHBA, Kurti sqaron vendimin

Nga A2 CNN
11 Qershor 2025, 17:18 | Aktualitet

Qeveria e Kosovës vendosi këtë të mërkurë që të pranojë strehimin e përkohshëm të rreth 50 emigrantëve nga vendet e treta që do të depërtohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi u miratua në mbledhjen e 262-të të qeverisë, me kryeministrin Albin Kurti që shprehet se ky është një vendim i rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit me SHBA.

Sipas këtij vendimi, Kosova do të pranojë dhe strehojë deri në 50 persona për një periudhë njëvjeçare. Qëllimi i këtij angazhimi është lehtësimi i kthimit të sigurt të këtyre individëve në vendet e tyre të prejardhjes.

“Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, shprehet Kurti në një reagimin në Facebook.

Kurti thekson se ky vendim është shprehje e gatishmërisë së vendit për të bashkëpunuar me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"SHBA-të mbeten aleati ynë palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik", nënvizon kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos