Kosova pa qeveri në kohë kritike, Osmani jashtë vendit, ekspertët: Është e pakuptimtë

Nga Rosalba Bejdo
27 Tetor 2025, 22:38 | Aktualitet

Një ditë pas dështimit të kryeministrit në detyrë për të siguruar mbështetjen për qeverinë e re në Kuvend, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Riad të Arabisë Saudite. Një gjë e tillë po konsiderohet e pakuptimtë nga shoqëria civile, e cila mendon se kreu i shtetit do të duhej të qëndronte në Kosovë për t’i ftuar për konsultime partitë politike.

Sipas ekspertëve, bisedimet duhet të kishin nisur që sot, qoftë edhe përmes shkresave me kryetarët e partive parlamentare, për të parë nëse garantohet formimi i një shumice të re parlamentare ose dakordimi për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Cakolli: Është e pakuptimtë mosprezenca e presidentes Osmani në Kosovë

“Duke e ditur se dje ka qenë e pritur që do të mbahej seanca, është deri diku e pakuptimtë sesi presidentja e vendit, në një situatë kaq të ndjeshme politike dhe kushtetuese, nuk ndodhet në vend. Çdo moment i humbur është një mundësi e humbur për gjetjen e një daljeje nga kjo situatë, apo në skenarin tjetër, për të mos humbur kohë me këto procedura. Ajo çfarë ka rëndësi, është që 5 nëntori është data e fundit kur presidentja duhet t’i japë rrugë procesit aktual. Në këtë drejtim, unë besoj që sa më parë të zhvillohet diskutimi me partitë, aq më mirë për vendin, sepse do ta kemi më të qartë se në cilën kahje do të rrjedhin procedurat kushtetuese,” thekson Cakolli.

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi kabinetin qeveritar para Kuvendit më 26 tetor, por mori vetëm 56 vota pro nga 61 të nevojshme.

Sipas hulumtuesit në KDI, Eugen Cakolli, presidentja Osmani duhet të vlerësojë nëse ka gatishmëri nga dikush në Kuvend për të marrë mandatin dhe për të provuar për herë të dytë formimin e qeverisë. Ai shton se Gjykata Kushtetuese në disa raste e ka qartësuar se, nëse asnjë prej partive nuk dëshiron ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, presidentja mund të konstatojë mungesën e shumicës së nevojshme parlamentare dhe të shpërndajë Kuvendin, duke caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Cakolli: Gjasat më të mëdha janë që zgjedhjet të mbahen mes datave 7 dhe 14 dhjetor

“E para është nëse ka gatishmëri nga ndonjë prej palëve që të marrë mandatin dhe të provojë për herë të dytë formimin e qeverisë. Presidentja, në bazë të kritereve që i ka nën diskrecion, mund t’ia japë mandatin sërish partisë së parë ose një partie tjetër që provon se ka numrat përmes nënshkrimeve të deputetëve. Megjithatë, nëse asnjëra palë nuk shpreh gatishmëri apo gjasa reale për ta formuar qeverinë, presidentja mund të konstatojë mungesën e shumicës parlamentare, të shpërndajë Kuvendin dhe të caktojë datën e re të zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda afatit 40-ditor. Bazuar në këtë afat, gjasat më të mëdha janë që zgjedhjet të mbahen mes datave 7 dhe 14 dhjetor të këtij viti,” potencon ai.

Dështimi në krijimin e qeverisë vjen në një moment kritik për Kosovën, një nga vendet më të varfra të Evropës. Ambasadorët e vendeve të Quint-it kanë kërkuar formimin sa më të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme dhe funksionale, të domosdoshme për të zhbllokuar fondet e ngrira, për të adresuar prioritetet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për të avancuar rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se nevojitet përparim i qartë nëse Kosova dëshiron të përfitojë nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos