Kosovë, hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 17:00 | Aktualitet

Kosovë, hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin

Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kurti tha se me hapjen e kësaj ure për këmbësorë, “rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mirovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”.

Ndërkaq, Durmishi kujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim një urë tjetër mbi Ibër, dedikuar për automjete.

“Sot po e shënojmë hapjen e një vepre hidraulike dhe artisitike, jo vetëm thjesht një urë për këmbësorë por një vepër arti”, tha Durmishi.

Ndërtimi i kësaj ure u bë pas një memorandumi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Ndërtimi i këtyre dy urave, krahas urës kryesore mbi Ibër, u bë pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t'i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ekzekutivi kishte ndarë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e tyre.

Ndërtimi i urave u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër tyre, që mori mbi 3.500 nënshkrime.

Bashkimi Evropian ka thënë më herët se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.

“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, ka thënë BE-ja më herët për Radion Evropa e Lirë.

Urat e reja janë ndërtuar pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar, gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos