Të enjten në Bruksel do të zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin e kryenegociatorëve.
Megjithatë temat për të cilat do të diskutohen nuk janë bërë të ditura nga palët, nga zyra e kryenegociatorit Besnik Bislimi thonë se Kosova do të jetë konstruktive.
“Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, tha Klisman Kadia.
Mungesa e informacioneve shihet me sy kritik në Prishtinë që takimet në kuadër të dialogut i shohin pa ndonjë rezultat.
“Nuk dihet qartazi as çfarë pozicionesh po mban Kosova, as agjendat, temat të cilat po diskutohen, ka kohë që nuk kemi pasur marrëveshje të shkruar, pra prej marrëveshje së Ohrit e tutje ndonëse janë bërë dakordime të vogla”, shtoi Violeta Haxholli, shkuan A2.
Për Bashkimin Evropian, që rezervohet në dhënien e informacioneve rreth formatit apo temat të diskutimit, më urgjente është zbatimi i marrëveshjeve të dakorduar më herët.
“Fokusi i takimit është nevoja urgjente për të filluar me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe për të ndihmuar palët të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog”, deklaroi Peter Stano.
Procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë shihet si jetik në rrugën e Kosovës drejt integrimit në strukturat euroatlantike, por edhe vet dialogu kërkon kompromise nga ana e Prishtinës.
“Unë e shoh Kosovën në një situatë shumë të disfavorshme sepse gjithmonë kur Kosova duhet të ketë një lloj beneficioni nga ana e Gjermanisë apo Bashkimit Evropian gjithmonë është e kushtëzuar që të ofrojë diç nga vetja, të bëjë kompromise të mëdha, të humb diç në rrugën sikurse patëm rastin me Procesin e Berlinit apo drejt Bashkimit Evropian dhe kështu që kjo më duket shumë e padrejtë”, tha politologia Vjollca Hajdari.
Ajo që mbetet ende e paqartë është nëse do të ketë një takim trepalësh mes Kosovës, Bashkimit Evropian si dhe Serbisë, pasi bëhet e ditur se fillimisht emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të ketë takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviçin e Serbisë.
Pavarësisht se çfarë pritet të ndodhë gjatë së enjtes, kryenegociatorit Bislimi i kërkohet të raportojë në Kuvend.
“Nuk kemi pasur asnjë raportim me vetëiniciativë nga ana e kryeministrit për të raportuar por kemi pasur edhe një pasivitet goxha të madh të partive opozitare për të kërkuar llogari nga Qeveria se çfarë po ndodh me këtë proces, në përgjithësi e kemi një rol të kufizuar mbikëqyrës të Kuvendit ndaj zhvillimeve në politikën e jashtme”, shtoi Haxholli.
Muajin e kaluar u mbajtën takime në kuadër të dialogut, por nuk pati edhe takim mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të mospajtimeve për disa çështje. (A2 Televizion)
Kosovë-Serbi, dialogu vijon në Bruksel, kritika për mungesën e transparencës
