Pas paralajmërimeve të Qeverisë së Republikës Sërpska për "ndarje paqësore" të Bosnjë Hercegovinës ekziston frika se mund hapet “kutia e Pandorës” në rajon.
Ekspertët e sigurisë e shohin këtë lëvizje si hap drejt vënies në zbatim të botës serbe e cila ishte paralajmëruar kohë më parë nga liderët nacionalistë serbë e që mund të cenojë sigurisë edhe në Kosovë.
“Mbi këtë bazë do të kemi ndoshta edhe shkëmbim të zjarrit brenda territorit të kantonit të Sarajevës, pra situata nuk është e favorshme në kontekstin e sigurisë, mund të presim një hapje të kutisë së pandorës dhe çdo ndryshim në Bosnje do të atakojë sigurinë edhe në Malin e Zi dhe në Republikën e Kosovës”, thotë Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Një ide e tillë për ndarje në sytë e ekspertëve shihet se është edhe për komunat veriore të Kosovës dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si mjet për ta jetësuar këtë qëllim.
“Në rast se do të kemi evoluim të mëtutjeshëm dhe shihet një potencial i jashtëzakonshëm i idesë që edhe në pjesën veriore ku është komuniteti serb të ketë një lëvizje të tillë, pra formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, autonomia e zgjeruar e proklamuar dhe e vendosur në një takim në Bruksel dhe aneks në Ohër de fakto është një rrugëtim e cila përfundimi i saj, produkti i saj final, është i ngjashëm me atë që po ndodh tani në Bosnje”, vijon Shala.
Ideja për ndarje, Qeveria e Republikës Sërspa tha se do t’ia dërgojë etnitetit tjetër në Bosnje, Federatës së Bosnjë Hercegovinës në 30 ditët e ardhshme. (A2 Televizion)