Një vit pas protestave të dhunshme të serbëve në veri të Kosovës, KFOR përsëriti thirrjen për vendosjen përpara drejtësisë të personave që sulmuan dhe plagosën ushtarët e misionit, që ndodheshin në krye të detyrës.
Në një reagim për ngjarjet e Zveçanit, një vit më parë, komandanti i misionit paqeruajtës, gjenerali Ozkan Ulutas rikujtoi se KFOR, në këto ditë të vështira arriti të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Sipas Radio Evropa e Lirë, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR. Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve rëndë.
“Sot ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e kolegëve tanë, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me misionin tonë që del nga mandati i Kombeve të Bashkuara. Kuraja e tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandaloi përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”, tha Ulutas.
Majin e vitit të kaluar, serbët në veri protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill, pas bojkotimit të procesit zgjedhor nga serbët dhe partitë serbe. (A2 Televizion)