Bashkimi Europian ka bërë të ditur se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, shkruan A2.
Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak u ka raportuar vendeve anëtare për gjendjen e dialogut dhe ka thënë se palët kanë mungesë të qartë të gatishmërisë për të bërë ndonjë progres në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim. (A2 Televizion)