Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim pas publikimit të indeksit të lirisë së mediave nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, ku Kosova ka shënuar një rënie alarmuese. Sipas raportit të vitit 2025,Kosova është renditur e 99-të, duke rëne me 24 vende krahasuar me një vit më parë.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se kjo rënie përfaqëson një alarm të jashtëzakonshëm dhe një situatë shqetësuese për lirinë e mediave në vend.
"Jemi mbledhur këtu për të shprehur shqetësimin tonë serioz për rënien drastike alarmuese të Kosovës në renditjen e raportit të vitit 2025 të Reporterëve pa Kufij. Jemi në vendin e 99-të, 24 vende më poshtë se vitin e kaluar, pasi Kosova kishte qenë 19 pozita më poshtë 1 vit më parë. Është alarm i jashtëzakonshëm, një rangim shokues që vë Kosovën si vendin më të keq në Ballkanin Perëndimor. Raporti rendit disa prej arsyeve kryesore, duke përfshirë ligjin kontestues të KPM-së, të cilin e kemi kundërshtuar që nga fillimi, por që u miratua nga mazhoranca, fushatat e vazhdueshme denigruese ndaj gazetarëve, sidomos me togfjalëshin e njohur 'bashkëpunëtorë të armikut', që ka vazhduar gjatë gjithë këtyre muajve dhe po zhvillohet edhe gjatë ditëve të sotme pas publikimit të këtij raporti. Ndërhyrja, ose mungesa e pavarësisë së transmetuesit publik, RTK. Siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet problem, përmendet edhe sivjet rritja e padive SLAPP si dhe vazhdimi i autorizuar i gazetarëve."
AGK vlerëson se kjo rënie është reflektim i një fushate të vazhdueshme të qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti, kundër lirisë së mediave.
I pyetur për reagimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje pas publikimit të raportit, Rexha tha se janë parë sulme të sinkronizuara ndaj AGK-së dhe ndaj tij personalisht.
"Menjëherë pas publikimit të raportit dhe deklaratës së AGK-së, kemi parë një sërë sulmesh të sinkronizuara ndaj AGK-së, por edhe ndaj meje personalisht, që nuk është e re, jemi mësuar, por nuk duhet të mësohemi. Është shumë e rrezikshme që me emër dhe mbiemër të jemi target i njerëzve që janë të veshur me pushtet të mazhorancës aktuale, i dënojmë këto targetime. Vetëvendosje duhet t'i adresojë gjetjet. Para dy vitesh, kur raporti kishte treguar ngritje, ishte mirëpritur nga qeveria dhe Vetëvendosje.”
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa kufij më 2 maj, në prag të ditës botërore të lirisë së shtypit Kosova renditet më keq se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian. (A2 Televizion)