Kosova po përballet me pasoja të rënda financiare dhe politike si rezultat i masave të vendosura nga Bashkimi Evropian që nga qershori i vitit 2023. Sipas një analize nga Instituti GAP, mbi 613 milionë euro janë pezulluar gjatë kësaj periudhe, përmes dy instrumenteve kryesore, IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, si përgjigje ndaj veprimeve të Qeverisë në komunat veriore, ku u përshkallëzua situata pas zgjedhjeve të bojkotuar nga serbët lokal. Masat përfshijnë pezullimin e përkohshëm të disa fondeve, ndalimin e vizitave të nivelit të lartë dhe ndërprerjen e pjesëmarrjes së Kosovës në takime rajonale të BE-së.
Koordinatorja e hulumtimeve në GAP, Rrona Zhuri, në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, thotë se 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht, pasi disa projekte të IPA 2020, nuk arritën të kontraktohen para skadimit të afatit. Sipas saj, projektet më të prekura janë ato në mjedis, energji, digjitalizim dhe kulturë.
Përveç dëmeve financiare, masat dhe ngërçi politik po godasin edhe legjitimitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Sipas hulumtuesit në GLPS, Besar Gërgi, rreziku nuk është vetëm ekonomik, por institucional dhe strategjik.
Nga ana tjetër, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, në një përgjigje me shkrim për emisionin “Shtylla”, deklaro se Kosova ka përmbushur kërkesat për heqjen e masave që në fillim, duke përmendur Marrëveshjen e Bratisllavës.
Ai thekson se tensionet në veri nuk janë shkaktuar nga Kosova.
Emisioni “Shtylla” ka drejtuar pyetje edhe Komisionit Evropian, për të kuptuar më mirë se cilat masa kanë filluar të hiqen dhe sa ka humbur Kosova, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Megjithatë, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas para disa muajve kishte deklaruar se ka nisur heqja graduale e masave ndaj Kosovës, të vendosura në qershor dymijenjëzetetre, por nuk kishte shpjeguar se kur ka filluar një gjë e tillë dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani.
Se këto masa kanë shkaktuar dëme në sektorin privat dhe zhvillim të vendit, e thotë edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi.
Krasniqi e cilëson pezullimin e fondeve dhe mungesën e qeverisjes funksionale si faktorë kryesorë që po bllokojnë zhvillimin ekonomik.
Por përveç mungesës së fondeve, problem mbetet edhe mungesa e një qeverie funksionale. Kosova është lider në rajon për borxhin më të ulët, ndryshe nga vendet si Mali i Zi dhe Maqedonia që kanë nivele 3–4 herë më të larta. Kosovapress. (A2 Televizion)