Jo vetëm Europa por edhe Kosova është në alarm për shfaqjen e dronëve të huaj në qiell. Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha tha të se dronë që dyshohet të jenë futur nga fqinji verior, Serbia, kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit kohët e fundit.
Në një prononcim pas organizimit të shkatërrimit të disa armëve ilegale në Prelez të Ferizajt, Hoxha deklaroi se kanë njoftuar misionin paqeruajtës të NATO-s për këto shkelje dhe se po monitorojnë situatën. Sipas tij këto lëvizje mund të jenë të rrezikshme për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët e Kosovës, sepse policia i mbron ata.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, tha Hoxha.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra - është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të Hungaro Control-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Këtë javë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën. E pyetur në një intervistë për Fox News, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.
Ajo theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë. (A2 Televizion)