Në Kosovë, data 24 shtator është e lidhur ngushtë me fshatin e vogël Banjskë të Zveçanit në veri të vendit. Dy vite më parë, aty u sfidua si asnjëherë tjetër integriteti dhe sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës nga një grup paramilitar serb.
Të mërkurën fshati ishte i qetë me lëvizje të pakta të njerëzve. Edhe krerët e shtetit nuk e kishin paraparë me agjendë zyrtare vizitën në veri.
Pranë shenjës së rrugës që mban emrin e Afrim Bunjakut erdhën për homazhet zyrtarët nga komuna e Zveçanit. Dhimbje e krenari vihet re në Samadrexhë të Vushtrisë, fshatin e lindjes së Afrim Bunjakut. Hilmi Behrami, dhëndër i Afrim Bunjakut, kujton se e takoi rreshterin policor dhjetë ditë para se të të vritej, shkruan A2 CNN.
Në bisedë, Behrami thotë se Afrimi nuk bënte kompromise sa i përket çështjes së veriut, zonë në të cilën ai shërbente.
“Dhjetë ditë pa vdekur, e me gjithë çiken… më ka thënë Afrimi veriun s’e lëshon i gjallë, dhjetë ditë pa vdekur ma ka thënë këtë”, tha Hilmi Behrami, dhëndër i Afrim Bunjakut.
Behrami dhe bashëfshatarë të tjerë e kujtojnë Afrim Bunjakun si një njeri të mirë dhe patriot.
Përpos vdekjes së Bunjakut, në ditën kritike u plagosën edhe dy efektivë të tjerë të Policisë së Kosovës, Alban Rashiti dhe Mirsad Kryeziu.
Policia arriti të eliminonte tre terroristë, ndërsa kapi edhe tre të tjerë ndaj të cilëve aktualisht po zhvillohet një proces gjyqësor. (A2 Televizion)
