Drejtori i Policisë së Kosovës jep alarmin: Dronë serbë kanë shkelur hapësirën tonë ajrore

Nga Ideal Gola
26 Shtator 2025, 11:02 | Aktualitet

Drejtori i Policisë së Kosovës jep alarmin: Dronë serbë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se “gjatë ditëve të fundit” ka pasur shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë që dyshohet se mund të jenë të ardhur nga Serbia. Sipas tij, dronët kanë fluturuar në hapësirën e veriut të vendit.

“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur”.

Gjatë një aktiviteti për shkatërrimin e armëve, Hoxha tha para gazetarëve se tashmë e kanë njoftuar KFOR-in, si përgjegjës i hapësirës ajrore.

“Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, tha Hoxha.

A2 CNN i është drejtuar me një kërkesë Misionit të NATO-s në Kosovë në lidhje me këto pretendime por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.

Të njëjta deklarata për fluturim të dronëve serbë në Kosovë e dha edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por nuk ka dhënë detaje duke thënë se janë duke u bërë hetime së bashku me KFOR-in.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos