Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha sot në një prononcim për mediat nga Ferizaji, se dronë që dyshohet të jenë futur nga Serbia kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit kohët e fundit.
Hoxha deklaroi se kanë njoftuar misionin paqeruajtës të NATO-s për këto shkelje dhe se po monitorojnë situatën, pasi këto lëvizje mund të jenë të rrezikshme për pjesën e kufirit.
Lidhur me këtë deklaratë të Hoxhës, A2 CNN dorëzoi një kërkesë për informacion pranë zyrave të misionit paqeruajtës, të KFOR-it në Kosovë. Në përgjigje për gazetarin e A2 CNN në Prishtinë, Ideal Gola, zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it bën me dije se një shkelje e tillë e hapësirës ajrore të Kosovës nuk është evidentuar prej tyre.
“Lidhur me pyetjen tuaj, nuk kemi identifikuar shkelje nga dronët që mund të ndikojnë në sigurinë në mbarë Kosovën”, thuhet në reagimin e KFOR për A2 CNN.
“Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999, dhe si rrjedhojë KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion. Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore, veçanërisht pranë Vijës Administrative Kufitare, të koordinohet në mënyrë adekuate me KFOR-in, për të parandaluar tensionet dhe për të garantuar sigurinë. KFOR-i është në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Ai vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë nga OKB-ja, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si aktorë të sigurisë”, nënvizohet më tej. (A2 Televizion)