Prishtinë, protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Nga A2 CNN
5 Prill 2025, 17:09 | Aktualitet

Prishtinë, protestë kundër rritjes së çmimit të

Në Prishtinë është organizuar një protestë ku kërkohet që të mos merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Duke mbajtur në duar parrulla “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Tarifat e reja, padrejtësi e re”, “KEDS-i t’i kthehet popullit”, “Varfërimi i shumicës, pasurimi i pakicës”, “S’ka dritë me padrejtësi”, qytetarë të mbledhur afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kundërshtuan kërkesën nga kompanitë e energjisë për rritjen e tarifave të energjisë me 15 për qind, shkruan A2.

Organizatorët e protestës thanë se përveç shtrenjtimit të rrymës, është paralajmëruar edhe një valë e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, andaj thanë se qytetarët e Kosovës "nuk e meritojnë t'u vështirësohet më shumë jeta".

Pas protestës në sheshin Skenderbeu, protestuesit vazhduan marshimin drejt ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë. Aty ata vendosën parrullat, në mënyrë që kur zyrtarët të shkojnë në punë, të shohin pakënaqësitë e qytetarëve.

Organizatorët e protestës në Prishtinë paralajmëruan protestë të re më 11 prill, nëse merret vendimi për rritjen e tarifave të energjisë.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se, nga ky muaj, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind. Kërkesën për rritjen e çmimit të rrymës e kanë bërë kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë. Aktualisht, për konsumatorët në Kosovë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15 për qind, ata do të paguanin 8.96 centë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos