Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një përcaktim të qartë të orientimit të saj të politikës së jashtme kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht, problematikës së Kosovës dhe Serbisë.
Në projektligjin e datës 9 tetor 2025 të Kongresit Amerikan theksohet se, Washingtoni nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të ri-vizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor. Ky projektligj për herë të parë përfshin edhe paragrafin mbi “mos ndryshimin e kufijve” në Ballkan.
Projektligji i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë, për shqyrtim të pjesëve që i përkasin juridiksionit të secilit, por afati i shqyrtimit nuk është përcaktuar ende.
"Marrëveshja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila u miratua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, është një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve; Serbia dhe Kosova duhet të kërkojnë të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur në paragrafin (1) sapo të jetë bërë përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin në konsideratë avancimin e iniciativave për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe me të dy vendet, të cilat mund të përfshijnë, vendosjen e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe avancimin e iniciativave konkrete për të thelluar tregtinë dhe investimet me të dy vendet. Është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e tokave, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”.
Nëse projektligji miratohet nga Kongresi dhe Senati, dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, atëherë SHBA do të angazhohet ligjërisht që politika e saj e jashtme të mos mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar mbi etni në Ballkanin Perëndimor, përfshirë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen e mundshme të Republikës Serbe nga Bosnjë dhe Hercegovina. Ligji promovon gjithashtu biseda bilaterale, iniciativa konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare.
Në seksionin e projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës e Serbisë, thuhet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e BE-së duhet të zbatohet shpejt. Projektligji përcakton gjithashtu një vlerësim të objektivave të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës në lidhje me operacionet dhe fushatat e ndikimit keqdashës të kryera në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat synojnë të minojë institucionet demokratike, duke përfshirë planifikimin dhe zbatimin e zgjedhjeve demokratike. (A2 Televizion)
