Protesta e serbëve në veri të Kosovës, Elshani për A2 CNN: Morën pjesë rreth 600 qytetarë

Nga A2 CNN
7 Gusht 2024, 12:24 | Aktualitet

Është mbajtur mesditën e së mërkurës protesta e serbëve në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicë të Veriut, me pretendimet e tyre se gjendja iu është rënduar për shkak të mbylljes së degëve të postës serbe.

Për mbarëvajtjen e protestës, gazetari i A2 CNN Ideal Gola pyeti Veton Elshanin, zëvendësdrejtorin e policisë së Mitrovicës së Veriut.

Elshani u shpreh se policia ishte njoftuar për protestën, në të cilën sipas tij, morën pjesë rreth 600 qytetarë dhe gjithçka ka shkuar pa incidente.

“Protesta është lajmëruar të shtunën ose të dielën për sot prej orës 11:00 deri në orën 12:00 nga një grup qytetarësh për të bërë të ditur situatën e rëndë që janë këtu. Për ne është me rëndësi që ajo është lajmëruar. Organizatorin e dinim. Ne kemi qenë në numra të mjaftueshëm. Nga ana jonë është konsideruar që kanë qenë diku te 600 qytetarë. Çdo gjë ka shkuar mirë deri tani që po protestuesit po shpërndahen.

Situata është e qetë, por delikate në veri. Ne jemi në veri të vendit dhe e kemi detyrë të qëndrojmë aty. Për ne është me rëndësi që të mos ndikojmë që të ndodhë ndonjë parregullsi, ndonjë destabilizim. Megjithatë, nëse do të ndodhte ne do të merreshim me atë punë”, u shpreh Elshani për A2 CNN.

Protestuesit gjithashtu janë kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit. Presidenti serb reagoi ashpër lidhur me aksionin e policisë së Kosovës për mbylljen e zyrave postare, duke e cilësuar si një përpjekje për luftë nga ana e Kurtit. Ai dënoi gjithashtu ashpër edhe vendet perëndimore që sipas tij, po ofrojnë mbështetje për qeverinë Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos