Një grup qytetarësh serbë në Zubin Potok protestuan gjatë së premtes sipas tyre kundër veprimeve të Policisë së Kosovës në komunat veriore me shumicë serbe, por edhe për shkatërrimin e disa objekteve fetare.
Qytetarët serbë marshuan nga stacioni policor në Zubin Potok deri në kishën ortodokse të kësaj komune. Gjatë rrugës ata mbajtën në duar simbole fetare ndërsa në kishë ndezën qirinj.
Protestuesit megjithëse nuk fajësuan policinë, hodhën dyshime se monumentet fetare mund të jenë dëmtuar edhe nga disa efektivë por pa ofruar ndonjë dëshmi.
Sipas serbëve, kishat janë gjuajtur me armë ndërsa janë dëmtuar edhe disa ikona fetare.
"Përveç të shtënave, ka pasur edhe ikona të thyera, kjo protestë mbahet për t’ia bërë me dije ndërkombëtare dhe organeve te Republikës së Kosovës që të tregojnë se a duhet policët ta kontrollojnë atë rajon dhe të intervistojnë edhe policët nëse kanë patrulluar atje”, tha politikani Aleksandër Arsinejoviç.
Megjithëse sipas protestuesve dëmtimet kanë ndodhur para një muaji, më 25 gusht, Drejtoria Rajonale e Policisë së Mitrovicës së Veriut konfirmoi se hetimi për këtë ngjarje ka filluar një javë më parë vetëm pasi informacioni është raportuar në media.
"Policia e Kosovës është informuar nga mediat që para disa ditëve, diku përafërsisht një javë ka ndodhur një dëmtim i një vendi fetar që shërben për lutje në një fshat në Zubin Potok. Sipas informacioneve të cilat ne i kemi dëgjuar në media kanë qenë sipas fshatarëve ka pasur policë që ata kanë pa dhe ka mundësi ato dëmtime janë bërë nga zyrtarë policorë”, u shpreh Elshani.
Meqë pretendimet e banorëve janë se mund të jenë përfshirë efektivë policie, tashmë është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe mbetet për të vendosur nëse ata do të kryejnë hetimet apo do të asistohen edhe nga drejtoria e veriut. (A2 Televizion)
Protestë në Zubin Potok, serbët ankohen për dëmtimin e monumenteve fetare
