Rasti i Salih Mustafës në Apel, do të shqyrtohet ulja e dënimit për krime lufte

Nga A2 CNN
30 Korrik 2024, 20:23 | Aktualitet

Paneli i Gjykatës Supreme, që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë, ia ka rikthyer sërish Apelit rastin e Salih Mustafës dhe dënimin ndaj tij për krime lufte.

Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar fillimisht në dhjetor të vitit 2022, me 26 vjet burgim, për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Në dhjetor të vitit 2023, Apeli ia uli dënimin në 22 vjet burgim.

Përmes një komunikate për media më 30 korrik, Gjykata Speciale ka thënë se, pas kërkesës së bërë nga Mustafa për mbrojtje të ligjshmërisë, paneli i Supremes e ka rikthyer rastin e tij në Apel, për të shqyrtuar uljen e dënimit.

Mustafa ka qenë personi i parë që është dënuar prej Gjykatës Speciale, lidhur me akuzat për krime lufte. Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo e ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos