Fabrika e municionit në Kosovë pritet të ndërtohet dhe të fillojë prodhimin brenda vitit 2027.
Kjo konfirmohet nga Ministria e Mbrojtjes për A2 CNN të cilët thonë se prodhimi do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s, dhe do të plotësojë nevojat e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë, me synimin që pas disa vitesh të fillohet dhe me eksport.
“Do të fillohet me prodhimin e municioneve të kalibrit 5.56mm dhe 7.62mm, që është municion i armëve të këmbësorisë, konkretisht pushkëve individuale të ushtarakëve si dhe mitralozave të lehtë, e që përbëjnë dhe llojin e municionit që më shumti shpenzohet gjatë ushtrimeve dhe operacioneve luftarake”, raporton Ministria e Mbrojtjes.
Kontrata është e klasifikuar si sekrete, mirëpo ajo çfarë thuhet është se përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë, si dhe pajisja me sisteme të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% e Kosovës.
Megjithëse jo të cilësisë që synohet të jetë municioni i fabrikës së re dhe jo për ushtrinë e policinë e Republikës së Kosovës, dikur në Skënderaj prodhohej municion.
E shtrirë në 18 hektarë tokë, ish-fabrika e municionit në Skënderaj funksiononte me katër reparte me një kapacitet prej 4500 plumbash në orë.
“Kapaciteti ka qenë për 1 minutë 74 copa që i bie për një orë 4440 copa. Vetëm 5 orë punë 22 mijë e 200 copa. Fabrika ka punuar në tri turne, që do të thotë për tri ndërrime vetëm një linjë i ka nxjerrë 66 mijë e 600 copa”, shprehet Haxhi Qerimi, përfaqësues i punëtorëve të fabrikës së municioneve.
Fabrika kishte filluar prodhimin më 1977 deri më 1991 kur punëtorët shqiptarë, pas masave të dhunshme, kishin lënë punën. Ajo ishte shndërruar në bazë ushtarake serbe dhe më vonë ishte bombarduar.
Mbi 300 punëtorë punonin në ish-fabrikën e municionit, përfshirë edhe një nga figurat më emblematike të luftës çlirimtare të Kosovës, Hamëz Jashari.
Në këtë fabrikë prodhoheshin katër lloje plumbash për armë të gjuetisë.
“Kemi prodhuar indiana, F12, F16, F20, F20 i kanë marr SHBA ndërsa F12 dhe F16 i kemi shitur edhe në Jugosllavi edhe kanë marr shtetet perëndimore, Gjermania, Zvicra, Austria, edhe shtetet skandinave se çmimi ishte i lirë për arsye se lëndën e parë tonën, plumbin, e merrnim në Zveçan”, shton Qerimi.
Ministria e Mbrojtjes është duke vlerësuar disa prona për ngritjen e fabrikës e re së municionit, por asnjëra prej tyre nuk është lokacioni i ish-fabrikës në Skënderaj.
Për shkak të afërsisë me kullat e Jasharajve në Prekaz, e gjithë hapësira në vitin 2023 i ka kaluar Kompleksit memorial “Adem Jashari”.
Pavarësisht se punëtorët e dikurshëm janë në pension, janë të gatshëm të ndihmojnë nëse iu kërkohet.
“Ku të duan të ndërtojnë, atë çka di dhe çka mundem do ta jap pa asnjë problem. Me kënaqësinë më të madhe”, deklaroi Qerimi.
Fabrika sot është në gjendje të rënduar me makineri të vjetruar dhe të papërdorshme. Ato janë thjesht një dëshmi që dikur këtu prodhohej municion.
Të hënën, Qeveria nënshkroi marrëveshje me prodhuesin turk MKE për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë. Në planin për ngritjen e industrisë së armatimit, parashihet edhe dizjanimi i dronëve, por që për këtë ende nuk ka ndonjë marrëveshje. (A2 Televizion)