Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka theksuar se ekziston një rrezik jashtëzakonisht i madh i ndërhyrjeve të jashtme në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë një ceremonie të urimeve për kontingjentet italiane të angazhuara në operacione ndërkombëtare, ku foli me misionin komandues të KFOR-it italian në Kosovë, Mattarella ka nënvizuar rëndësinë e klimës së qetë në rajon për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.
“Përfshirja e të gjithë rajonit të Ballkanit në BE kërkon qetësi. Për 25 vite, KFOR-i është përkushtuar ndaj këtij misioni. Kam ndjekur nga afër situatën dhe kam vërejtur se tensionet lokale ndonjëherë nxehen qëllimisht, duke e vështirësuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Misioni juaj për ta mbajtur këtë dialog gjallë është jetik,” tha Presidenti Mattarella, raporton ANSA.
Ai shtoi se pa praninë e KFOR-it gjatë viteve të fundit, do të kishte pasur shpërthime të dhunshme që mund të kishin shkatërruar vendin. (A2 Televizion)