Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet të martën e 4 marsit pranë Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshminë për rastin e rezervave shtetërore.
Paraprakisht, Zyra e Kryeministrit insistoi se ka precedentë kur liderët janë intervistuar në zyrat e tij, jo vetëm në Kosovë por edhe në botë dhe se nuk është e vërtetë se nuk ka gatishmëri të Kurtit për të mos dhënë dëshmi. Kërkesa që Prokuroria Speciale të ketë respekt për pozitën e kryeministrit pasi agjenda e tij është e ngjeshur, sipas juristëve nuk ka ndonjë bazë ligjore.
“Nuk është se kishte ndonjë argument të natyrës ligjore përmes së cilës do ta justifikonin kërkesën e kryeministrit që i njëjti të intervistohet në zyrën e tij për faktin se këto janë çështje ligjore dhe për aq sa nuk hynë në domenin e dëshmitarëve të cilët për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore e të ngjashme si rrethana përjashtuese jashtë objektit të prokurorisë”, tha Ardian Bajraktari, avokat, shkruan A2 CNN.
Një tjetër akuzë që Zyra e Kryeministrit i bëri Prokurorisë ishte se ftesa është më shumë politike, duke e thënë se sjelljet e prokurorëve vijnë pasi Kurti ka vënë në pah korrupsionin në sistemin e drejtësisë si dhe ka kundërshtuar propozimin që Blerim Isufaj të emërohet kryeprokuror i shtetit.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë.
Juristët këmbëngulin se çdo qytetar duhet t’i përgjigjet thirrjes së prokurorit dhe kryeministri nuk bën përjashtim.
“Çështja e ftesës kujtdo qoftë në këtë rast edhe kryeministrit është brenda domenit të prokurorit dhe përgjegjësive të tij që ka në lidhje me hetimin e çështjes dhe në rrjedhë të kësaj është detyrimi çdo qytetari që t’i përgjigjet thirrjes së prokurorisë për të dëshmuar”, tha avokati.
Gjykata Themelore e Prishtinës konfirmoi se para se të merrte vendimin që Kurti të urdhërohet të paraqitet pranë Prokurorisë, ka pranuar edhe përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit. (A2 Televizion)